Emergjenca mjedisore në Fier: Incineratori tejkalon afatet, fusha e mbetjeve vijon të digjet

Nga A2 CNN
30 Korrik 2021, 17:10 | Aktualitet
Emergjenca mjedisore në Fier: Incineratori tejkalon afatet, fusha e

Prej më shumë se 5 ditësh qytetarët e Fierit po përballen me re tymi të shkaktuara nga djegia e mbetjeve, problemi i menaxhimit të tyre duhej të ishte zgjidhur vite më parë. Nga buxheti i shtetit vijon të paguhen dhjetëra milionë euro për incineratori, i cili edhe pse ka kaluar çdo lloj afati, ende nuk është në funksion.

Problemi i menaxhimit të mbetjeve urbane në qytetin e Fierit duhej të ishte zgjidhur vite më parë. Për të zhbërë gangrenën e krijuar, 5 vite më parë Këshilli Bashkiak shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore në fushën e mbetjeve në Mbrostar duke i hapur rrugën ndërtimit të një incineratori në fshatin Verri.

Sipas kontratës fillestare incineratori duhet të ishte funksional që prej shtatorit të vitit2019, ndërsa fusha e mbetjeve, që ndodhet rreth 4 kilometër nga qendra e qytetit, duhej të ishte mbyllur. Por, punimet nuk përfunduan dhe afati për vënin në punë të incineratorit u shty me 9 muaj. Teksa edhe ky afat nuk u arrit, palët u mblodhën sërish më 11 shtator 2020, duke i shtyrë punimet deri më 31 mars 2021, duke dalë edhe jashtë parashikimeve dhe deklaratave të kryeministrit Rama.

“Në dhjetor do vini, ju ftoj të shikoni që do të fillojë puna atje në Fier. Ka pasur 1 vit e gjysmë vonesë jo për shkak të investitorit, por për shkak të palës sonë, sepse ishin protestat, bllokimet, përpjekjet për t’iu thënë që ore jeni në vete, këtu po vihet që të shpëtoni ju. Unë nuk gënjej, them vetëm të vërteta. Hajdut dy metra dhe gënjeshtar dy metra nuk ka, ta harrosh!”,  u shpreh kryeministri Rama në një intervistë televizive më 15 tetor 2020.”

Prej 25 korrikut, fusha në të cilën depozitohen më shumë se 60 mijë tonë mbetje çdo vit vijon të jetën nën pushtetin e flakëve, ndërsa rreth 200 mijë banorët po vuajnë pasojat e shkaktuara nga tymi i dendur. Nga ana tjetër, vepra për të cilën shpenzohen nga Buxheti i Shtetit më shumë se 6.2 milionë euro çdo vit prej 2016-s, vijon të mos e kryejë funksionin për të cilën paguhet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos