
Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas akuzave më të fundit të Sali Berisha se ai është peng i Edi Ramës për shkak të dosjes kriminale të vëllait të tij.
Sipas Alibeajt, akuzat ndaj familjarëve, janë pikërisht rrjedhojë e shkollës politike të komunizmit dhe biografive, që për dhjetëra vite persekutuan shqiptarët.
“Akuzat dhe shpifjet në gojën e Sali Berishës, janë refren i njohur në politikën shqiptare. Vazhdoj t’i mbetem bindjes se një gjuhë e tillë meriton përçmimin dhe neverinë që tashmë shqiptarët dinë t’ja japin politikës së vjetëruar. Ajo që Sali Berisha e quan bashkëpunim për ligjin e dosjeve, është thëngjilli që i djeg ish-komunistëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, që për vite me radhë përdoren PD-në dhe të djathtën si mburojë të tyren.
Akuzat ndaj familjarëve, janë pikërisht rrjedhojë e shkollës politike të komunizmit dhe biografive, që për dhjetëra vite persekutuan shqiptarët.
Ligji për dosjet dhe lustracionin janë domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare. Është mënyra për të rivlerësuar të shkuarën, për të ndërtuar të ardhmen pa pengjet e një të kaluare që i ka shkaktuar dëme të mëdha shoqërisë sonë. (A2 Televizion)