





Presidenti Bajram Begaj nisi vizitën e parë zyrtare që prej marrjes së postit më 24 korrik. Presidenti Begaj u prit me një ceremoni zyrtare nga homologia e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën do të zhvillojë edhe një takim “kokë më kokë”, që do të pasohet me një deklaratë të përbashkët për mediat.
Me tej, në ditën e parë të vizitës janë planifikuar takime me kreun e Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Në agjendën e Begajt janë planifikuar edhe homazhe tek varri i Presidentit Rugova dhe familjes Jashari. Në ditë e dytë të vizitës kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë ndër të tjera takime me krerët e partive politike PDK, LDK dhe AAK, si dhe takim me trupat e Forcave te Armatosura Shqiptare, që shërbejnë në KFOR. (A2 Televizion)