Presidenti Biden, mesazh falënderimi e mirënjohjeje presidentit Begaj

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2022, 11:49 | Politikë
Presidenti Biden, mesazh falënderimi e mirënjohjeje presidentit Begaj

Presidenti Bajram Begaj mori sot, gjatë takimit me Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, një mesazh falënderimi dhe mirënjohjeje nga presidenti Joe Biden për Shqipërinë dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin e fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.

“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën”, shprehet presidenti Biden në mesazhin e tij.

“Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë, si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale”, shtohet në letër.

Presidenti Joe Biden vlerëson ndihmën bujare të Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt: “SHBA-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”.

Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, presidenti Biden nënvizon se në vitet e ardhshme dëshirojmë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos