
Presidenti i Tunizisë, Kais Saied njoftoi se ka zgjatur deri në një njoftim tjetër pezullimin e parlamentit, të vendosur më 25 korrik.
Saied gjithashtu zgjati heqjen e imunitetit parlamentar me një dekret presidencial. Në një deklaratë u njoftua se presidenti do të flasë me kombin në ditët në vijim, pa dhënë detaje të tjera.
Kreu i Shtetit i njoftoi këto masa një muaj më parë, në një kohë kur Tunizia përballet me kulmin e epidemisë Covid dhe një krizë të thellë politike që ka paralizuar vendin për muaj me radhë.
Saied theksoi se ngrirja e Parlamentit për 30 ditë, heqja dorë nga imuniteti i deputetëve dhe shkarkimi i kryeministrit nuk përfaqësojnë “një grusht shteti”. (A2 Televizion)