
Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Pashkëve, një ndër festat më të rëndësishme të kësaj feje.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit shkruan se në ditë të tilla nuk duhet të harrojmë mesazhin për të qenë sa më pranë njerëzve në nevojë.
Mesazhi i Presidentit
Në vigjilje të Pashkës së Madhe u përcjell besimtarëve të krishterë katolikë e ungjillorë dhe të gjithë popullit shqiptar urimet më të përzemërta, për sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje!
Ngjallja e Krishtit, që kremtojmë së bashku, shpall fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen dhe të shpresës mbi dëshpërimin.
Festa frymëzuese e Pashkës na fton për të mos harruar sakrificat e Krishtit për ne, për të dëshmuar me vepra shembullin e jetës së Tij, çdo ditë, duke qenë në shërbim dhe me përulësi pranë njerëzve në nevojë dhe për të mbajtur pranë zemrave tona këdo që vuan.
Misioni i Krishtit ishte të na mësojë dhe të na tregojë rrugën e dashurisë ngadhënjyese, për të mos u dorëzuar tek materializmi dhe konsumizmi.
Le të shërbejë ky shembull për të gjithë ne!
Për të ndërtuar një Shqipëri më të dashur dhe më të dhembshur, ku të ekzistojnë të gjitha hapësirat për një të ardhme të sigurt. Në këtë mënyrë do të ndalim shpopullimin dhe në veçanti largimin e të rinjve.
Sonte është koha për t'u gëzuar dhe për të falënderuar Zotin duke shpallur: KRISHTI U NGJALL! ME TË VËRTETË U NGJALL! (A2 Televizion)