






Pirelli zbuloi të mërkurën kalendarin e ri për vitin 2023, një album fotografish që të fut në një botë ëndrrash, të mbushur me yje. I titulluar “Letra për muzën”, kalendari i bën homazh një grupi “grash të jashtëzakonshme”, artiste, aktiviste, sportiste dhe të fushave të tjera.
Fotografja që ka realizuar albumin, Emma Summerton, tha se këto gra e kanë frymëzuar në punën e saj. “Doja të shkojë në rrënjën e fjalës “muzë” dhe të portretizoja gra që më kanë frymëzuar me kontributin e tyre në letërsi, shkencë dhe art”, tha ajo për CNN, gjatë prezantimit të kalendarit në selinë qendrore të kompanisë së prodhimit të gomave në Milano. “Ideja ime ishte që t’i shfaqja ashtu siç janë në të vërtetë dhe të krijoja botë që do të pasqyronin historitë e tyre të mëdha”.
Në kalendar pozojnë 14 gra, të cilat janë bërë të famshme për arritjet në karrierën e tyre. Fotot janë realizuar në Nju-Jork dhe Londër përgjatë verës dhe modelet janë vendosur në sfonde të punuara deri në detaje, me elemente të realizimit dhe surrealizmit, si pyje të errët, bufë, pasqyra optike, të kompletuara me kostume fantastike.
“Thuajse i gjithë ekipi që realizoi kalendarin ishte i përbërë nga gra dhe kjo ishte speciale për mua”, tha Summerton. “Ishte një bashkëpunim i jashtëzakonshëm”. Në kalendarin e shumëpritur shfaqen disa nga modelet më në zë, si Bella Hadid, Emily Ratajkowski dhe Cara Delevigne. (A2 Televizion)