
Takimi i parë i grupeve të punës të partive politike në Maqedoni të Veriut përfundoi me tone pozitive. Pjesëmarrësit diskutuan për pikat që konsiderohen problematike në propozimin e paraqitur nga presidenca franceze e BE për kuadrin negociator.
Zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bojan Mariçiç, konfirmoi qëndrimet e kundërta me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së në opozitës, tha se ka shpresë për zgjidhje nëse vazhdojnë takimet.
Ai shtoi se propozimi francez garanton mbrojtjen e identitetit maqedonas. VMRO-DPMNE paraqiti 6 kërkesa për ndryshimin e kornizës negociuese dhe ftoi sërish qytetarët në protesta.
Edhe manifestimi i sotëm paralajmërohet që të jetë i dhunshëm, sipas njoftimeve të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Në trazirat e protestës së kaluar u lënduan 47 policë, ndërsa personat e ndaluar ishin 11. Prej ditësh qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të thirrur nga opozita, manifestojnë përballe qeverisë duke kërkuar refuzimin e planit francez për zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit në BE. (A2 Televizion)