
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani organizuan një pritje shtetërore mbrëmjen e së hënës, me rastin e 24 vjetorit të çlirimit të vendit nga forcat pushtuese serbe.
Ajo që ra në sy në këtë takim ishte mungesa e ambasadorëve të Quintit dhe e opozitës parlamentare PDK, LDK dhe AAK. Sipas mediave në Kosovë, në këtë ceremoni, u panë vetëm ambasadorët e Zvicrës dhe Austrisë, si dhe komandanti i KFOR-it.
Lidhur me këtë bojkot reagoi dhe zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, i cili deklaroi se ndonëse vetë ambasadorët nuk ishin të pranishëm në event, ata kishin përfaqësuesit e tyre.
Në organizimin për 24 vjetorin e çlirimit, presidentja Osmani deklaroi se më 12 qershor 1999, Kosova fitoi të drejtën thelbësore të ekzistencës e cila formoi identitetin dhe përmbushi aspiratën shekullore dhe përcaktoi fatin kolektiv.
“Kjo ditë shërben si një kujtesë e triumfit të shpirtit njerëzor mbi prangat dhe sakrificën e pareshtur për liri. Faleminderit aleatëve tanë që e bënë të mundshme, realizimin e ëndrrës sonë për liri e për shtet”, tha presidentja Osmani.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se 12 qershori është datë e rëndësishme që erdhi pas një përpjekje e lufte për çlirim, vetëvendosje e pavarësi.
“U udhëhoq kjo lëvizje nga intelektualë, shkrimtarë e disidentë e ish të burgosur politik që u bën përfaqësues të luftës çlirimtare Historia e popullit shqiptar është e mbushur me heronj e heroina e ku nën çdo okupim e shtypje, kishte kryengritje për çlirim e pavarësi. E duam fort lirinë, e duam edhe për të tjerët e jo vetëm për vete sepse siç thotë presidenti amerikan Abraham Lincoln, ata që ua mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë atë për vete”, tha mes të tjerash Albin Kurti. (A2 Televizion)