
Kriza e çmimeve duhet të rikthente vëmendjen te prodhimi vendas duke e mbështetur atë. Por, Shqipëria i ka shtuar importet. Instituti i Statistikave dëshmon se nga janari në tetor u blenë nga jashtë vendit mbi 36 mijë tonë zarzavate. Kjo solli një rritje prej 37% krahasuar me një vit më parë.
E thënë në vlerë, në 10 muaj u paguan 25,5 milionë euro nga rreth 16 milionë që u shpenzuan në të njëjtin hark kohor të vitit 2021.
Ekspertët thonë se kjo ka ardhur kryesisht për shkak se fermerët nuk u mbështetën në sezonin e mbjelljeve. E teksa vendi nuk arriti dot të plotësonte nevojat për qepë, patate, rrush, mollë apo fasule, e kundërta po ndodh me ullirin. Por, për shkak të çmimit nën kosto e mungesës së punonjësve, edhe nga kjo kulturë bujqësore nuk ka shumë pritshmëri.
Sipas INSTAT, në 10-mujorin janar-tetor në vend u importuan nga jashtë mbi 876 mijë tonë ushqime, 2,7 herë më shumë nga sa u eksportuan. (A2 Televizion)