Programi i rindërtimit, Ahmetaj bën bilancin: Në shtator nis puna për pallatet

Nga A2 CNN
22 Korrik 2020, 13:58 | Sociale
Programi i rindërtimit, Ahmetaj bën bilancin: Në shtator nis puna

Mbi 131 milionë euro janë fondet që qeveria ka shpenzuar deri më tani për procesin e Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, nga fatura totale prej mbi 1 miliard eurosh. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ka bërë një bilanc të deritanishëm të ecurisë së procesit, ku ka nisur puna vetëm për 4 nga 33 zonat e reja të zhvillimit.

Nga fondet e deritanishme, pjesa më e madhe ka shkuar për grantet për rikonstruksion, që u jepen familjeve me dëme të lehta dhe të mesme. Por Ahmetaj deklaron se shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i banesave individuale dhe pallateve.

Sa i takon donacioneve të huaja, Ahmetaj deklaron se deri tani janë aktive 272 milionë euro nga zotimet e bëra në Konferencës e Donatorëve. Këto fonde janë të angazhuara jo vetëm në ndërtim, por edhe në procesin e rimëkëmbjes ekonomike dhe po ndjekin procedurat e tenderimit sipas shteteve përkatëse.

Pas Konferencës së Donatorëve, qeveria kishte bërë zotimin për të rikthyer në shtëpi 80% të familjeve të dëmtuara nga tërmeti deri në fund të vitit. Por pandemia duket se ka ndikuar në shtyrjen e këtyre afateve.

Aktualisht programi i ndërtimit të shkollave është në një fazë më të avancuar se pjesa tjetër e projekteve, ndërkohë që vitin tjetër pritet të nisë edhe programi i rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale për qytetarët dhe bizneset në zonat më të prekura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos