
Kryetarja e delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Christiane Hohmann, i ka dorëzuar sot progres-raportin e komisionit Europian për Shqipërinë, zv.kryeministres Belinda Balluku. Në fjalën e saj, Balluku theksoi se ky progres-raport është pikënisja e angazhimit konkret për të përmbushur të gjitha detyrimet, ndërsa vlerësoi arritjet e Shqipërisë.
“Dorëzimi i progres-raportit është pikënisja e angazhimit konkret për të përmbushur të gjitha detyrimet, pasqyron progresin vjetor, por është punë disavjeçare. Aspirata e Shqipërisë për t’u bërë pjesë me të drejta të plotë është e njohur dhe e pamohueshme. Ne nuk kemi pasur iluzionet mbi rrugën e vështirë për të arritur qëllimin final, por jemi të vendosur për të punuar intensivisht dhe për të qenë në lartësinë e këtyre sprovave. Më 19 korrik, Shqipëria nisi negociatat teknike të anëtarësimit, duke sjellë përmbushjen e një objektivi të më shumë se një qeverie shqiptare. Raporti i vitit 2022 pasqyron njohjen e angazhimin e detyrave. Shqipëria ka vazhduar të ruajë fokusin e përgjithshëm në agjendën e BE-së”.
Balluku shprehu bindjen që përparimi i Shqipërisë do të jetë më i shpejtë se i rajonit.
“Kam bindjen se ritmi i përparimit të Shqipërisë do të jetë më i shpejtë se i vendeve të rajonit. Progres-raporti evidenton arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtjen e vlerave europiane. Kemi ruajtur ritmin gjatë viteve të vonesave dhe pasigurive. Nuk ishte rrugë e lehtë dhe nuk do të jetë e lehtë, por do të mbështetemi te miqtë tanë në unitetin që qëndron pas objektivave”. (A2 Televizion)