PD sulmon Ramën për fjalimin në KiE, Garo: U nxori nostalgjikëve mallin e Enver Hoxhës

Nga A2 CNN
13 Tetor 2022, 12:34 | Politikë
PD sulmon Ramën për fjalimin në KiE, Garo: U nxori

“Edi Rama u nxori dje nostalgjikëve mallin e Enver Hoxhës”, kështu e etiketoi Partia Demokratike fjalimin e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, ku kërkoi mbështetje për një raport të ri që rrëzon pretendimet e Dick Marty-t për krime lufte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Me të njëjtën mbipeshë, të njëjtën stërzgjatje, me gishtin e ngritur lart, madje edhe kostumin e gjerë të udhëheqësit lindor, me mendjen e tij, ai e vuri poshtë "kampin kapitalist". Duke e ditur se ishte para jurisë europiane, ai u kthye vetë në prokuror dhe në gjykatës. Ai i "ktheu tavolinat" në një akt prej gangsteri politik. Fjala e tij ishte një imitimit i shëmtuar, një kolazh a-historik i fjalimeve të Fidel Castros, Enver Hoxhës dhe Muamar Gedafit. Në pamje të parë patriotik, por në esencë antishqiptar, Rama foli sikur të ishte Lukashenko i Bjellorusisë. Kryetari i një republike me rekord të zi në të drejtat e njeriut, media dhe demokraci. Në këtë kuptim i foli subkoshienca”, tha Garo.

Sipas saj, Rama turpëroi Shqipërinë si kryeministër dhe dëmtoi Kosovën në momentin më delikat të anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës. “Foli si përfaqësues tipik, jo i një vendi anëtar, por i narkoshtetit të parë dhe të vetëm ne Europë. Taktika e tij ishte e qartë: le të flasim për një çështje të cilën nuk e ndryshoj, dhe as nuk ma var njeri, për të shmangur sikletin e ballafaqimit për vendin të cilin drejtoj”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos