
Pas sherrit verbal me kryeministrin Edi Rama një ditë më parë, Kuvendi ka përjashtuar për 10 ditë Edi Palokën e Bujar Leskajn.
“Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me fyerjen e etikës parlamentare, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 10.11.2022, nga dy deputetët, z. Bujar Leskaj dhe z. Edi Paloka.
Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro dhe 2 Kundër, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 (dhjetë) ditë” për deputetët z. Bujar Leskaj dhe z. Edi Paloka”, thuhet nw njoftimin e Kuvendit.
Votimi për buxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2023 u miratua me 76 vota pro dhe 40 kundër mes debateve dhe incidenteve.
Në momentin kur kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi mbledhjen e deputetëve për nisjen e procesit, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj janë konfrontuar verbalisht me kreun e qeverisë duke kaluar në ofendime banale.
E gjithë kjo situatë ndodhi kur regjia e parlamentit ndërpreu sinjalin, por në momentin e rikthimit të saj, dallohet kordoni i gardës ishte vendosur në mes kryeministrit dhe deputetit Paloka. Ky i fundit akuzoi kreun e PS se fyeu dhe provokoi deputetët kundërshtarë disa herë.
Disa nga demokratët në sallë pretendojnë se edhe kryeministri iu kundërpërgjigj me fjalor banal. (A2 Televizion)