
Presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Sipas tij, disa prej dispozitave që lidhen me shtrirjen e zbatueshmërisë së këtij ligji cenojnë parime të rëndësishme kushtetuese.
“Ligji krijon hapësira për përdorimin e procedurave edhe për mallra e shërbime që jo domosdoshmërisht lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe mbrojtjen”, pohon kreu i shtetit.
Meta shpjegon gjithashtu se ligji krijon hapësira që mund të çojnë në shtrembërim direkt të konkurrencës dhe keqadministrim të fondeve publike.
“Kuvendi, me një zgjedhje të keqmenduar ligjore, i hap rrugën praktikave me risk të lartë korruptiv dhe klientelist”, thekson Meta.
Çfarë shqetëson akoma presidentin është se “shmangia e procedurave të hapura të prokurimit rrezikon rritjen fiktive të çmimeve, si dhe orienton drejt fituesve të paracaktuar me marrëveshje të fshehura”. (A2 Televizion)