Reforma Zgjedhore, rikthehet diskutimi në tryezën politike

Nga A2 CNN
10 Maj 2020, 15:48 | Politikë
Reforma Zgjedhore, rikthehet diskutimi në tryezën politike

Kur Damian Gjiknuri i kërkoi ambasadores amerikane Yuri Kim që të nxiste rikthimin e dialogut për Reformën Zgjedhore, u duk qartë se virusi politik kishte infektuar diskutimet e qeta të këshillit mazhorancë-opozitë për ligjin zgjedhor. Opozita nxitoi të sqaronte se nuk i kishte ikur dialogut, e se ishte mazhoranca që duhej të bënte lëvizjen e saj.

Kreu i LSI-së, Monika Kryemadhi theksonte: “Opozita ka çuar 5 propozime dhe po pret reagim”.

Argumente që Damian Gjiknuri tha se e kishin bërë konfuz, e që u shoqëruan me një paralajmërim që vuri në pikëpyetje marrrëveshjen e dakordësuar më 14 janar, sipas të cilës, palët angazhoheshin se asnjë ndryshim në Reformën Zgjedhore nuk mund të bëhej pa konsensus: “Mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng një proces të rëndësishëm. Parlamenti i ka votat, do të përpiqemi edhe me opozitën parlamentare që të bëjmë numrin e nevojshëm të votave për Kodin Zgjedhor”.

Sinjalet se mund të shkohej në këtë skenar, opozita i paralajmëroi që në mbledhjen e 9 marsit, ku palët ishin në kahe të kundërta në diskutimin për depolitizimin e administratës zgjedhore.

Skenari i miratimit pa konsensus nuk duket të jetë në planet e ndërkombëtarëve, që edhe një herë ndihmuan aktorët shqiptarë të ulen sërish në tavolinë. Thirrja e ambasadorist të BE-së, Luigi Soreca, për të rinisur Këshillin Politik, çoi në letërkëmbime të shpejta mazhorancë-opozitë, që lanë takim të hënën në orën 9:00 për mbledhjen e radhës. Por, diskutimi nis aty ku u ndanë, te depolitizimi i zgjedhjeve.

Komisionerët apartiakë të propozuar nga mazhoranca, opozita i ka refuzuar. Çështja e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, gjithashtu ndan palët. PD-ja ka propozuar që pjesë e trupës të jenë edhe gjyqtarë që nuk kanë kaluar vetting-un, çfarë mazhoranca e refuzon kategorikisht. Deri më tani, në Këshillin Politik është rënë dakord për votimin dhe numërimin elektronik dhe ndryshimin e periudhës zgjedhore, por mbeten për t’u përcaktuar afatet.

Financimi miks i partive i ka bërë gjithashtu bashkë, por duhen rakorduar shifrat. Njësoj si më 14 janar, çështja e sistemit zgjedhor vijon të jetë në pikëpytje… (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos