
Prokuroria e Tiranës firmos urdhër arrestin për ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.
Ndaj Kajmakut është caktuar masa e sigurisë arrest me burg në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të tij, si i dyshuar për tre vepra penale, “shpërdorim detyre”, “falsifikim i formularëve” dhe “ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.
Masa e sigurisë është dërguar për ekzekutim në Polici dhe pritet arrestimi i Kajmakut, i cili u bë kryetar i Bashkisë së Vorës pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Urdhrin e arrestit e ka marrë njësia e Krimit ekonomik, e cila ka shkuar në banesën e Kajmakut, ndërsa vetë ai nuk disponon të hapur telefonin celular, duke e bërë të pamundur marrjen e një reagimi nga ana e tij. Nga ana tjetër, nga të dhënat në sistemin TIMS nuk rezulton që Kajmaku të ketë dalë nga Shqipëria.
Më 1 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin Kajmakut me votë unanime. Vendimi i KQZ erdhi pasi Prokuroria vërtetoi se Agim Kajmaku ishte i njëjti person i arrestuar në Greqi me emrin Jorgo Toto, fakt të cilin Kryebashkiaku nuk e kishte deklaruar. Ky vendim mund të ankimohet brenda 45 ditëve por nëse ai do të marrë fuqinë e formës së prerë, atëherë Presidenti do duhet të dekretojë një datë të re për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Vorë.
Por, Kreu i Shtetit ka deklaruar se nuk e njeh 30 qershorin dhe si rrjedhojë edhe Kryebashkiakët e dalë nga këto zgjedhje. Me këtë arsyetim ai ka shpjeguar përse nuk dekreton përsëritjen e zgjedhjeve në Shkodër dhe pritet të ndjekë të njëjtën logjikë edhe për Vorën. Në këtë rast, socialistët do të jenë të detyruar të drejtojnë edhe këtë bashki me nënkryetar. (A2 Televizion)