
Pasi doli nga SPAK, ish-zëvendëskomandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari, tha se kishte denoncuar ndërtimet që janë bërë brenda bazës ushtarake të Shëngjinit.
Meçollari mësohet se ka dhënë shpjegime lidhur me kallëzimin e tjetër veç Portit të Limionit, ndërsa ka deponuar mbi ish-shefin e shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj aktualisht president i republikës.
Pak ditë më parë, Baza e Limionit është vënë nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme. Meçollari ka bërë dhe një kallëzim për bazën detare të Shëngjinit ku sipas tij është lejuar ndërtim nga një subjekt privat.
Në kuadër të këtij hetimi, Meçollari u ballafaqua në SPAK pak ditë më parë me ish-shefin e shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku, aktualisht deputet i PS.
SPAK po heton prej vitit 2021 dy kallëzime të bëra nga Meçollari kundër zyrtarëve të tanishëm dhe ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, të cilët i akuzon për tjetërsim të pronave ushtarake, pa marrë miratimin e Presidentit të Republikës. Një prej kallëzimeve është për bazën detare në Sarandë, ndërsa tjetri, për të cilën ka kallëzuar edhe presidentin aktual të republikës Bajram Begaj, është për bazën ushtarake në Shëngjin.
(A2 Televizion)