
“Nuk ka masakër zgjedhore të na heqë ne nga misioni i ndryshimit. Ndryshimi do të bëhet me çdo kosto. Ja ku janë hapat që po hedhin. Çdo politikan që nuk justifikon dot pasurinë e vet, të familjes së vet, madje edhe të politikanëve, duhet të largohen nga politika”.
Kështu u shpreh Lulzim Basha në konferencën për shtyp, ku bëri të ditur se partia që ai drejton ka dorëzuar në Kuvend amendamentet me 3 ndryshime të rëndësishme kushtetuese.
Sa i përket vetingut të politikanëve, ai theksoi se është në interesin kombëtar që të kryhet.
“Ky nuk është thjesht dhe vetëm interesi i PD, është një zotim yni, është në interesin kombëtar. Nuk ka një socialist të ndershëm që të mos më jap të drejtë kur numëron kacidhet e fundit në fund të muajit dhe sheh bosët në restorantet më luksoze të botës. Edhe ne kemi pasur llumin tonë, janë njerëz që abuzojnë me besimin e dhënë nga partia dhe janë këto abuzime të pandëshkuara që na kanë sjellë në këtë pikë. Këto amendamente janë një hap i stërmadh”, tha Basha. (A2 Televizion)