
Bashkimi Europian po shqyrton përgjigjet e marra nga Kosova dhe Serbia lidhur me propozimin franko-gjerman për marrëveshjen përfundimtare.
Këtë e konfirmon përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili tha se shpreson që të arrihet normalizimi i raporteve mes vendeve.
“Përpara kësaj vere ne u prezantuam një plan palëve, Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të tejkalojmë atmosferën e krizës në të cilën kemi punuar në kërkim të normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Jam mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim. Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët dhe po i studiojmë ato. Mendoj se është një rast i mirë që duhet të shfrytëzohet në mënyrë që t’i shndërrojmë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, le të themi më normale. Sepse për përparimin e tyre në rrugën europiane, ky normalizim i raporteve është shumë i rëndësishëm. Në ditët në vijim do të shohim se cili do të jetë vendimi i tyre për këtë propozim. Shpresoj se do të jetë një hap i madh përpara në këtë proces”, tha Borrell. (A2 Televizion)