Protesta e opozitës, Berisha u kërkon ndërkombëtareve të mos mbështesin Ramën. Meta liston premtimet e pambajtura të qeverisë

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2022, 15:18 | Politikë
https://youtu.be/ZKHfuTEZH98

Opozita protestoi para kryeministrisë për gati 3 orë të shtunën. Sali Berisha dhe Ilir Meta u nisën nga selitë e partive respektive, për t’u bashkuar në sheshin para godinës ku punon rivali i tyre politik, Edi Rama. Kryeministri nuk ndodhej në zyrë dhe mbërriti në Shqipëri nga Franca pasi protesta kishte përfunduar.

Gjatë protestës qytetarë dhe aktivistë të PD folën para njerëzve të shumtë mbledhur në shesh, ndërsa në fund ishin Meta dhe Berisha që mbajtën fjalët e tyre. Ndërsa ish-presidenti Meta listoi premtimet e pambajtura të Ramës dhe bëri thirrje për ndryshim, Berisha e quajti pasuesin e tij në kryeministrisë si armikun më të madh të lirisë së shqiptarëve, pas Enver Hoxhës. Edhe pse i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, ai kërkoi nga vendi aleat të mos mbështeste Edi Ramën. “Çdo mbështetje për të është ndëshkim për shqiptarët”, tha Berisha.

Protesta u mbyll me një pjesë të njerëzve që çanë rrethimin policor dhe hodhën bojë drejt së kryeministrisë, ndërsa një person me thikë u ndalua nga efektivët te shkallët e godinës.

Rama nuk komentoi drejtpërdrejt zhvillimet para zyrës së tij, por zgjodhi të tregonte punët, siç ishte rasti i tunelit të Llogarasë, nga i cili postoi disa foto në Facebook. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se Berisha dhe Meta kishin marrë porosi nga Moska për të mos përmendur pushtimin rus në Ukrainë.

19:37 - Rama shpërfill protestën e opozitës, poston foto nga tuneli i Llogarasë

Kryeministri Edi Rama zgjodhi që postimin e parë në rrjetet sociale pas protestës së opozitës ta bëjë për një çështje krejt tjetër. “Tuneli i Llogarasë ku tanimë janë hapur 4,5 nga 6 kilometrat e projektit që do ta afrojë bregun e Jonit me aeroportin ndërkombëtar të Vlorës dhe rrisë ndjeshëm kuotat e industrisë shqiptare të turizmit”, shkroi Rama në Facebook.

19:34 - Protesta e opozitës, Balla: Aleanca e rublave mori porosi nga Moska

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi pas protestës së opozitës para kryeministrisë, duke quajtur Sali Berishën dhe Ilir Metën si të dëshpëruar.

18:47 - Incident në fund të protestës, qëllohen me bojë muret e kryeministrisë, ndalohet një person

Një incident i vogël është regjistruar në fund të protestës së opozitës, pas mbarimit të fjalimit të ish-kryeministri Sali Berisha. Një grup protestuesish çanë kordonin e policisë dhe qëlluan me bojë të kuqe dhe të zezë muret e ndërtesës së Kryeministrisë. Një person është shoqëruar me forcë nga policia. Ndërkohë që protestuesit kanë ndezur dhe qirinj në shkallët e kryeministrisë. Sipas të dhënave, personi i arrestuar kisht një thikë në dorë dhe po qëllonte dyert e kryeministrisë.

18:41 - Berisha, thirrje ndërkombëtarëve: Mos e mbështesni Ramën, është ndëshkim për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që të mos mbështesin Edi Ramën, pasi ai ka dhunuar votën e lirë në Shqipëri.

“Dy fjalë për miqtë, partnerët e Shqipërisë. Opozita shqiptare ka trashëgiminë më të shkëlqyer të bashkëpunimit me ju. Vendet anëtare të BE, vendet anëtare të NATO-s, partneri strategjik i shqiptarëve, SHBA, të gjithë ato që keni ndërtuar, bazuar mbi vlerat që ndani, mbi votën e lirë, mbi lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Kushtetutshmërinë, zbatimin e ligjit” , tha Berisha në fjalën e tij në protestën e opozitës.

“Sot, ju bëj thirrje: mos mbështesni regjimin e Edi Ramës, sepse Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve. Çdo mbështetje për të, është dështim për shqiptarët. Sikundër nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve. Stabiliteti dhe vota, stabiliteti dhe besimi, stabiliteti dhe e ardhmja, do jenë të pandara”.

18:33 - Berisha: Pas Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i egër i lirive tona

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti cunam të lirisë së shqiptarëve protestën e organizuar të shtunën nga opozita. Ai e quajti kryeministrin Edi Rama armikun më të madh të vendit që pas diktatorit Enver Hoxha. (Fjala e plotë)

18:19 - Ilir Meta numëron premtimet e dështuara të Ramës: Shporreni këtë qeveri që vjedh

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e tij përpara protestuesve listoi të gjitha dështimet sipas tij të qeverisë së Edi Ramës. Ai përmendi të gjitha premtimet e pambajtura që Rilindja bëri përpara se të vinte në pushtet, dhe për këtë arsye iu kërkoi qytetarëve që të kërkojnë llogari për të gjitha këto dështime. (Fjala e plotë)

18:08 - Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia: Të mos ndalen protestat deri sa të ikë Rama

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, e vetmja që drejtohet nga opozita në vend, ishte i pranishëm në protestën e madhe të organizuar të shtunën para kryeministrisë. Bardh Spahia u bëri thirrje njerëzve, por edhe Sali Berishës e Ilir Metës, që të mos ndalen te vetëm një protestë, por të vijojnë deri sa të arrihet largimi i Ramës. (Fjala e plotë)

17:15 - Protesta e opozitës, Rudina Hajdari: Familjet shqiptare nuk kanë paqe

Ish deputetja demokrate Rudina Hajdari deklaroi para protestuesve se situata në Shqipëri është shumë e vështirë. Sipas saj, mijëra të rinj kanë ikur nga vendi pasi nuk kanë shpresë, pasi nuk mund të sigurojnë një jetë më të mirë. (Fjala e plotë)

17:03 - Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është shfaqur në protestën e organizuar sot nga opozita. Pas ndarjes së madhe të PD, si pasojë e vendimit të Lulzim Bashës për të pezulluar Sali Berishën nga grupi parlamentar i partisë, meqë ishte shpallur “non grata” nga SHBA, Salianji u rreshtua me Bashën. Pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Salianji ishte mes depuetëve që kërkuan largimin e Bashës.

16:55 - Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi: “Ajo që na ka mbledhur nuk është politika, është Shqipëria. Na ka mbledhur besimi se Shqipëria ka burra dhe gra që i dalin zot familjes, Atdheut, duke luftuar dhe duke u ndeshur. E di mirë forcën e pasionit tuaj dhe vullnetin e zemërimit tuaj. Jemi bashkë për të ndezur gulçin e revoltës për të shkuar në rrëzimin e kësaj qeverie. E gjithë Shqipëria i ka sytë këtu. Së bashku të vazhdojmë betejën dhe të mundim të keqen. Të rrëzojmë regjimin që ka shkatërruar jetën e qytetarëve. Të rrëzojmë blindat dhe të fusim prapa hekurave atë që fshihet pas tyre”.

16:46 - Në protestën e organizuar sot nga opozita nuk kanë munguar pankartat e shumta ku shigjetohet kryeministri Edi Rama. Por një grup të rinjsh kanë zgjedhur të protestojnë me një mënyrë tepër të veçantë, duke marrë me vete në sheshin para kryeministrisë një gomone me flamurin e Mbretërisë së Bashkuar, si simbol i krizës së emigrantëve shqiptarë që kalojnë La Manshin për të mbërritur në Britaninë e Madhe.

(Shiko videon duke klikuar këtu)

16:34: - Meta ndërsa i bashkohej protestës: Askush nuk duhet të provokojë

Në rrugëtimin e tij nga selia e Partisë së Lirisë, në drejtim të sheshin përpara kryeministrisë, Ilir Meta iu kërkoi qytetarëve të bashkohen për të rrëzuar regjimin e Edi Rama. Meta u shpreh se atmosfera është demokratike dhe kërkoi që askush të mos provokojë protestuesit. (Lexo të plotë)

16:28 - Andoni: Protestave u mungon përmbajtja dhe ajo frymëzon

Analisti Ben Andoni tha se protesta e opozitës është një lajm i mirë, por nuk ajo duhet të pasohet me një plan të qartë për atë që Partia Demokratike dhe ajo e Lirisë duan të arrijnë. “Më shqetëson një fakt, që opozita në shumë momente si kredo operative ka sajimin, improvizimin. Do të kisha shumë qejf të kishte objektiva afatshkurtra dhe afatgjatë, në mënyrë që publiku të priste diçka. Formës nuk ke çfarë t’i heqësh, por mungon përmbajtja, dhe ajo frymëzon. Më vjen keq edhe që të gjitha protestat mbyllet me fjalimet e Berishës e Metës, e Ramës nga ana tjetër. Problemi është sa Berisha do t’i qaset me një lloj artikulimi të ri”, tha Andoni në A2 CNN. “Gjëja që më shqetëson është se jemi në mesin e nëntorit dhe nuk kemi gati identitiket dhe platformat sesi do të ndryshojnë qytetet shqiptare nën drejtimin e PD. Kuptohet se problemi ka qenë i brendshëm. Nga ana tjetër, mungesa e sensit për të dalë në një zë të përbashkët”.

16:06 - Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbërritur në selinë e partisë së tij. “Partia e Lirisë shkon te populli i lirisë”, tha Meta shkurt për gazetarët para se të futej në godinë. Meta do të jetë i vetmi nga kjo forcë politike që do të flasë para njerëzve në protestën e sotme.

16:00 -  Numri i personave të mbledhur në selinë e Partisë Demokratike është shtuar ndjeshëm dhe nga momenti në moment pritet dalja e kryetarit Sali Berisha për t’u drejtuar nga Kryeministria. Në oborrin e selisë së PD shihen shumë fëmijë dhe të moshuar, që kanë vendosur të marrin pjesë në protestën e sotme. Berisha dhe Meta do të nisen njëkohësisht nga selitë e partive të tyre dhe do të bashkohen në sheshin para Kryeministrisë.

15:20 - Braimllari: Fjalën e kanë qytetarët, mbi të gjitha është protestë ekonomike

Endrit Braimllari, nga Partia e Lirisë, tha për A2 CNN se në këtë protestë, fjalën e parë do ta kenë qytetarët. “Mbi të gjitha kjo është një protestë ekonomike, kundër papunësisë, arrogancës së qeverisë. Raportimet jo vetëm nga strukturat e Partisë së Lirisë, por edhe kontaktet që kemi pasur, kanë qenë shumë të larta. Bindja ime forcohet nga pjesëmarrja e qytetarëve të Tiranës. Pjesëmarrja do të jetë e jashtëzakonshme. Kjo protestë do të jetë për të mbështetur kauzat e qytetarëve, për të frenuar largimin e shqiptarëve. Porosia është për një protestë paqësore, të protestojnë kundër keqqeverisjes dhe arrogancës së kryeministrit. Kjo është një protestë për hallet e tyre dhe forca e protestës do të jetë numri i qytetarëve në shesh. Do të ketë një numër të madh folësish, do të jetë zëri i qytetarëve, por edhe drejtuesit e partive.

15:15 - Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe aleatët e tyre kanë organizuar një protestë kombëtare që zhvillohet para Kryeministrisë. Vetë Edi Rama nuk do të jetë në zyrë, pasi kthehet në mbrëmje nga Parisi, ku ishte për të marrë pjesë në Samitin e Paqes.

Protesta nis rreth orës 16:00, por prej orës 15:00 janë bllokuar disa rrugë në kryeqytet.

“Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Sheshi “Nënë Tereza”

Rruga “Ismail Qemali”

Kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”

Rruga “Papa Gjon Pali II”

Bulevardi “Zhan D’Ark”

Bulevardi “Bajram Curri”

Kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë po bëhen gati për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, ndërsa nuk mungojnë edhe pajisjet për hedhjen e gazit lotsjellës. Gjithashtu forca policie janë vendosur brenda rrethimit të godinës së Kryeministrisë.

Rreth 1200 efektivë janë mobilizuar për këtë protestë, ndërsa kanë mbërritur Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë nga qytete të ndryshme të vendit.

Forcat Speciale RENA janë vendosur në tarracat e godinave për të monitoruar elementët e dyshimtë që mund të kryejnë veprime të paligjshme.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/12/berisha-pas-enver-hoxhes-edi-rama-eshte-armiku-me-i-eger-i-lirive-tona/
https://a2news.com/2022/11/12/ilir-meta-numeron-premtimet-e-deshtuara-te-rames-shporreni-kete-qeveri-qe-vjedh/

A2 CNN Livestream

Latest Videos