
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë, Rebani Jaupi, tha se Policia e Shtetit u ka kthyer përgjigje drejtuesve të organizatorëve të protestës së paralajmëruar të opozitës më 6 dhjetor, ditën kur do të zhvillohet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
“Pjesa tjetër e bulevardit, sheshi Skënderbej dhe çdo ambient tjetër, është e drejtë e tyre për të bërë njoftimin dhe të na thonë se ku do ta bëjnë”, tha Jaupi, në konferencë për mediat. Bulevardi Dëshmorët e Kombit është brenda perimetrit të sigurisë së samitit dhe policia nuk ka miratuar kërkesën e opozitës për të zhvilluar protestën aty, por Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë konfirmuar se nuk kanë ndërmend të ndryshojnë vendin e mbledhjes.
Një ditë më parë, Policia e Shtetit bëri një tjetër përpjekje për të bindur demokratët të mos protestojnë para Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por ta zhvendosin grumbullimin e tyre përtej perimetrit të sigurisë së samitit të BE-së në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, thirri përfaqësues të PD-së për t’u shpjeguar edhe njëherë arsyen pse autoritetet i refuzuan opozitës protestën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Argumenti i tyre ishte se kjo protestë cenon sigurinë, por ne u thamë që do të mbajmë protestë paqësore. Protesta mbahet atje ku kemi thënë në Bulevard”, tha Ervin Minarolli. “Ne kemi protestë kundër qeverisë, për t’i dërguar të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për korrupsionin dhe gjithë zullumin që po bën kjo qeveri”, tha Gjata.
Policia tha se nuk do të lënë asnjeri të futet në perimetrin e sigurisë, për protestë, por kryetari i PD-së, Sali Berisha, përforcoi dhe më shumë vendosmërinë e protestës në Bulevard. Kësaj here, u kujdes të fliste jo vetëm për protestues, por dhe për organizatorë, kur u pyet për tonin dhe fatin e protestës. “Madhështore, madhështore! Jo, liderët europianë nuk do të keqkuptohen, ata nuk janë si Edi Rama. Tani gjithçka është në dorë të protestuesve dhe të organizatorëve. Ata do të vendosin, por ne bulevardin nuk e lëshojmë”, tha Berisha.
PD-ja u ka bërë thirrje demokratëve të hapin dyert e shtëpive të tyre më 5 dhjetor për të mirëpritur ata protestues të cilët vijnë nga rrethet dhe për shkak të bllokimit të rrugëve nuk do të mund të udhëtonin drejt Tiranës, më 6 dhjetor. (A2 Televizion)