Protesta e pedagogëve, çfarë dimë deri tani?

Nga A2 CNN
31 Tetor 2022, 12:11 | Aktualitet
Protesta e pedagogëve, çfarë dimë deri tani?

Pedagogët e universiteteve publike kërcënojnë me grevë urie në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen nga qeveria.

Si nisi protesta?

Që në korrik të këtij viti, 3 muaj para nisjes së vitit akademik, pedagogët paralajmëruan se do të bojkotonin mësimin. Në një intervistë për A2 CNN, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, Sandër Kovaçi, tha se kjo kategori kërkonte rritjen e rrogës, njëlloj siç është bërë me mësuesit e arsimit parauniversitar.

Çfarë kërkojnë pedagogët?

Protesta është pasqyruar gjerësisht se pedagogët kërkojnë rritje rroge. Por në një listë të publikuar që në ditët e para të protestës ata kanë gjithsej 9 kërkesa.

1. Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës me 50% brenda dy viteve (2022-2023).

2. Rritja e financimit për kërkimin shkencor.

3. Rivendosja e shtesave mbi pagën për “Dëshmi shëndeti në punë”.

4. Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë.

5. Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare.

6. Rivlerësimi i orës mësimore

7. Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare

8. Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.

9. Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.

Çfarë propozon qeveria?

Kërkesës së pedagogëve për një rritje me 50%, i vjen kundër oferta e kryeministrit për rritje 15%: ku shteti do të paguajë 7% dhe 8% nga buxheti i vetë universiteteve.

Ku ndahen palët?

Efekti në buxhet për afro 950 pedagogët në universitetet publike do të ishte vetëm 600 mijë euro në rastin që propozon qeveria dhe 4,2 milionë euro në skenarin e synuar. Kryeministri Rama ka deklaruar disa herë se nuk do të ketë rritje përtej këtij limiti, ndërsa pedagogët këmbëngulin te kërkesat e tyre, duke kërcënuar deri në përshkallëzimin e protestës në grevë urie.

Sa janë rrogat e pedagogëve?

Titulli akademik “Profesor” sot paguhet në arsimin e lartë 80 300 lekë. Nga viti 2005, kur paga ishte 56 000 lekë, rritja është nën çdo llogaritje të shtrenjtimit të jetesës. Kjo pagë aktuale, vlerësohet si më e ulëta në rajon, ku Kosova ka rrogën mesatare më të ulët në 850 euro, ndërsa Mali i Zi kryeson me 1830 euro, apo mbi trefish. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos