
Ambasada amerikane në Tiranë, ka paralajmëruar shtetasit e saj që të mos ekspozohen shumë në kryeqytet për shkak të protestës që do të zhvillohet tek inceneratori i Tiranës, e thërritur nga Partia e Lirisë.
“Një protestë është programuar për t’u zhvilluar sot pranë landfillit të Sharrës, rreth 6 kilometra në perëndim të Ambasadës Amerikane. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin grumbullimet e mëdha. Edhe pse shumë ngjarje të mëdha kalojnë paqësisht, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat vendase dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Në një dalje për mediat gjatë paradites së të martës, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi se të gjithë duhet të bashkohen në atë që e quajti “protestë paqësore, qytetare dhe model”. “Do të jetë një protestë e parë, në një skenë krimi si inceneratori i Tiranës. Mafia duhet ndalur sot, përpara sesa t’i bëjë dëme të tjera më të rënda vendit tonë. Sot, duhet të ekzekutojmë frikën që mafia po mbjell kudo. Nuk mund të jemi një vend që mposhtet nga mafia në pushtet”, tha Meta.
Thirrjes së tij për të protestuar, këtë të martë, i bashkohet edhe Partia Demokratike e Sali Berishës, por burimet i thanë A2 CNN se vetë kreu demokrat nuk do të marrë pjesë për shkak të angazhimeve të tjera. “Çdo deputet dhe anëtar i PD-së është i lirë t’i bashkohet protestës si një kauzë e përbashkët që ndajnë të dyja partitë kryesore të opozitës”, sqaruan më tej burimet nga selia blu. (A2 Televizion)