Liqeni i Fierzës, që gjendet në kufirin midis Kosovës e Shqipërisë, dhe që ka kapacitet të mbajë mbi 3 miliardë metër kub ujë, së fundmi është tharë tërësisht.
Muaj më parë, niveli i ujit ka qenë shumë i lartë, por mungesa e reshjeve e ka çuar në këtë situatë. Nga pamjet, duket se liqeni i Vërmicës në pjesën e Kosovës, pjesë e Liqenit të Fierzës, që përbën kaskadën e Drinit, tashmë është kthyer në një kullotë për lopët.




Në pjesën ujore të Kosovës, pranë doganës së Morinit, kanë dalë edhe objekte që dikur ishin të mbuluara. Thatësira e madhe ka nxjerrë mbi sipërfaqen e tokës gurin dhe rrugën e vjetër të kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Mbi sipërfaqen e tokës tashmë të gjelbëruar ka dalë edhe objekti i Doganës së vjetër, që dikur ashtu si guri dhe rruga e vjetër, ishte nën ujin e Liqenit të Vërmicës. Ndërkohë, Liqeni i Fierzës në pjesën veriore të vendit tonë, ashtu si ai i Vërmicës, vijon sërish të ketë rënie të nivelit të ujit, pavarësisht reshjeve të shiut të rëna në Kukës, tre ditët e fundit që e kanë rritur nivelin vetëm me 30 cm.
Mungesa e reshjeve dhe prodhimi i energjisë në HEC-in e Fierzës e kanë çuar nivelin në 267.12 metër me prurje 100 m3/s. Të dhënat më të fundit nga KESH tregojnë se HEC-et në kaskadën e Drinit janë pranë pikës së vdekjes. (A2 Televizion)