Protestat për vrasjen e Klodianit, KiE: Të parandalohet dhuna e mëtejshme policore

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2020, 13:51 | Aktualitet
Protestat për vrasjen e Klodianit, KiE: Të parandalohet dhuna e

Të parandalohet dhuna e mëtejshme policore dhe të respektohet e drejta e manifestimeve paqësore. Me këtë mesazh ju drejtua autoriteteve shqiptare, komisionerja për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatoviç.

Në një deklaratë, të bërë publike të mërkurën, zyrtarja e lartë i kërkoi më tej autoriteteve të tregojnë përmbajtje në menaxhimin e demonstratave dhe të zhvillojnë hetime të pavarura dhe të efektshme lidhur me pretendimet për përdorim të tepruar të forcës.

"Përdorimi i tepruar i forcës është raportuar edhe gjatë protestave të tjera që janë zhvilluar në Shqipëri, më herët gjatë vitit. Situata me pandeminë nuk iu jep autoriteteve të drejtën për të shpërndarë me forcë grumbullimet'', u shpreh Dunja Mijatoviç.

Komisionerja shprehet e shqetësuar për lëndimin e një sërë manifestuesve, përfshirë fëmijë si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës apo mjeteve të tjera dhe kërkon që arrestimi i të miturve të kryhet duke iu përmbajtur plotësisht të drejtave procedurale.  

Policia, shton më tej ajo, duhet të bëjë dallimin mes individëve të përfshirë në dhunë dhe atyre që demonstrojnë paqësisht dhe të përmbahet nga përdorimi i tepruar i dhunës.  

Mijatoviç, kërkon tolerancë zero dhe nxjerrjen para drejtësisë të pjesëtarëve të policisë që përfshihen në akte dhune. Në fund, komisionerja dënoi edhe ndalimin dhe sulmet ndaj gazetarëve që mbulonin protesta.

“Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës për t’u informuar. Autoritetet duhet të sigurojnë që gazetarët të informojnë qytetarët pa frikën e kërcënimeve apo akteve të dhunës”, shtoi Mijatoviç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos