Protestë e veteranëve në Kosovë, hyjnë në oborrin e qeverisë, policia hedh gaz lotsjellës

Nga A2 CNN
6 Qershor 2022, 13:12 | Kosova

Tensione, përplasje dhe të lënduar. Kjo është situata në oborrin e qeverisë së Kosovës, aty ku veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestojnë për të drejtat e tyre.

Dhjetëra qytetarë dhe anëtarë të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së po manifestojnë kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Ata shprehin pakënaqësi për mospërfshirjen e tyre në programin për rritjen e pagës minimale.

“Sot dëshmojmë se tentimet për mohimin e gjithë kontributit dhe sakrificave të luftëtarëve të UÇK-së nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk do të kenë sukses. Fatkeqësisht, duhet të protestojmë për mbrojtje të vlerave të asaj lufte që na solli deri këtu. Neve na duhet të protestojmë sepse na mohohet lufta që e bëmë, na shkelen të drejtat që na takojnë siç çdo kund në botën demokratike”, deklaroi Faton Klinaku, kryetar i organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare.

https://www.youtube.com/watch?v=AkjYORW8iME

Fillimisht, protesta nisi e qetë nën thirrjet: UÇK dhe TURP. Më pas, qytetarët thyen rrethimin duke hyrë në oborrin e godinës së qeverisë në Prishtinë. Kjo nxiti dhe reagimin e policisë, që nuk kurseu sprajn djegës dhe gazin lotsjellës. Për të garantuar rendin dhe sigurinë u angazhuan dhe Forcat Speciale të Kosovës. Megjithatë, situata ka qenë mjaft e tensionuar.

Kosova Press raporton se një anëtarë i forcave të rendit është lënduar, në momentin kur protestuesit thyen rrethimin në godinën e qeverisë. Gjithashtu, ka raportime për të lënduar edhe në mesin e veteranëve të luftës. Mes protestuesve pati deputetë të opozitës dhe anëtarë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, që kritikojnë ekzekutivin për anashkalimin e veteranëve në rritjen e pagës minimale.

“Mos i bllokoni institucionet, mos i dëmtoni institucionet, mos dëmtoni policinë, mbroni pozicionin tuaj të një proteste dinjtoze”, bëri thirrje Hisen Berisha, deputet i PDK-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos