
Thirrjes së parë për të përfituar naftë pa taksa iu përgjigjën 15 mijë fermerë. Numri i ulët i aplikimeve si dhe shtimi i interesit, sipas Ministrisë së Bujqësisë, bëri që ky institucion të shtrijë fillimisht afatin deri më 30 mars e më pas deri në 30 nëntor për të përfituar naftë pa akcizë. Ky proces synon të formalizojë fermerët dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në këtë sektor.
Rrugës për në fshatrat e Divjakës dhe Lushnjës takuam Pëllumb Lushkën. Ai po furnizohej me naftë në një nga pikat e karburantit të zonës. Çmimi i naftës është i lartë dhe Pëllumbit i duhet të paguajë një sasi të konsiderueshme parash. Për skemën e naftës pa taksa ka dëgjuar por nuk ka aplikuar. I zhgënjyer nga eksperiencat e mëparshme, thotë se burokracitë janë të mëdha për të përfituar një sasi të vogël nafte. “Kam 8 dynym tokë, pjesën tjetër e kam e qira. Nuk kam aplikuar se është e kotë”, thotë Pëllumbi.
Së bashku metë birin, pas furnizimit të traktorit me naftë, do të shkojnë në ara. Të mbjellat e pranverës janë afër dhe tokat kanë nisur të punohen. “Nafta ka kushtuar 300 mijë lekë. Nafta që bleva nuk më shkon më shumë se dy javë”, shpjegon ai.
Në fshatin Kamenicë të Divjakës, Pëllumb Zaimi ka gjysmë shekulli që merret me bujqësi. Me këtë traktor të vogël punon një pjesë të tokave. Sasia e naftës që i duhet është më e lartë seç ofron ministria e Bujqësisë. “Kam 3,5 hektarë tokë, më duhen 100 litra naftë për të punuar. Kam aplikuar, thonë fjalë të mira, por fundi do e tregojë”, tregon ai.
Skemat e naftës pa taksa apo falas nuk e bindin. Në memorie ka ende zhgënjimin e disa viteve më parë nga nafta me tollona. “Dy herë është bërë skema, asnjëherë nuk është marrë. Një pjesë e morën, një pjesë jo. Ata që s’kishin mjet ja jepnin naftën traktoristëve dhe lekë u merrnin prapë”.
Në këto fusha bujqësia dhe blegtoria janë të vetmet sektorë nga ku mund të sigurohen të ardhurat. Pasioni për fshatin dhe tradita familjare e kanë bërë Edmira Toskën, traktoriste, blegtore dhe sipërmarrëse. Mungesa e mbështetjes e ka detyruar ta reduktojë fermën e saj. “Kamp pasur 106 krerë lopë, më pas 80, dhe tani kam 28. Nuk kam pasur mbështetje ndaj I kam reduktuar”. Edmira nuk ka aplikuar për naftën pa taksa. Thotë se ka shumë toka me qira për të cilat më shumë do të harxhojë me dokumentacionet sesa do të përfitojë karburant. “Kam 56 hektarë tokë me qira. Nuk i çoj dot pronarët te noteri. Një prokurë bën 40 mijë lekë, nuk e dua naftën unë kur kam kaq shumë pronarë”. Ëndrra e saj është të ketë një traktor të ri për të punuar tokat. Dëshiron që të shtojë edhe fermën, por me mbështetjen aktuale e ka të pamundur të forcohet ekonomikisht. “Përfitoj vetëm 10 mijë lekë të reja për lopë. Në Kosovë marrin për vica për qumësht dhe për krerë. Skemën e naftës pa taksa me skepticizëm e shohin edhe ekspertët e sektorit”.
Eduart Sharka, kryetari i Sindikatës së Fermerëve, thotë se shifrat e ulëta të aplikimeve tregojnë se mosbesim tek institucionet. “Aplikuan 15 mijë veta nga 60 mijë fermerë me NIPT, tregon që nuk ka besim. Të harxhosh edhe 500 mijë euro për të hartuar studimin nga të huajt si përfitohet nafta falas, mund të ishte shmangur. Nuk jemi pyetur ne si grupe interesi”.
Hartimi i studimit të fizibilitetit për naftën pa taksa krijon debat edhe për mënyrën sesi është projektuar nga ekspertët e huaj. “Thuhet kush aplikon i pari përfiton më shpejt, SIM und t’i thuash një fermeri që ke fituar por nuk e përfiton se ke ardhur vonë, ashtu si u bë me subvencionimin e skemës për plasmas”, thotë Sharka.
Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku thotë se është realizuar vetëm 30% të projektimit të planit. “Kjo përbën problem sepse do të thotë që nuk e ke bërë mirë studimin. Edhe 95 % do të ishte problem”. Ndonëse skema është për t’u përshëndetur, Pilku thotë se për fermerët që kanë kultivime specifike, kostot janë më të larta. “Në një pemëtore shërbimet teknike shkojnë deri në 1000 euro pasi ka punime, spërkatje, transport të produktit”.
Të pakënaqur nga mbështetja e deritanishme, Sindikata e Fermerëve, kërkon që skemat për bujqësinë të bëhen me grupet e interesit, pasi përfitimi i deritanishëm është mjaft i ulët. “Vijnë skafet e sheikëve mbushen me naftë pa taksë, ndërkohë që fermerët e blejnë naftën me çmimin e tregut. Duhet të ulemi dhe të studiojmë së bashku potencialin që ka bujqësia për të hartuar skema që i përshtaten fermerit”.
Që nga njoftimi i kryeministrit Rama, në mesin e tetorit të vitit të kaluar, e deri më tani kanë riaktivizuar NIPTIN dhe/ose kanë hapur një NIPT të ri rreth 14500 fermerë. Pjesa tjetër vazhdon ta punojë tokën në mënyrë informale duke e përjashtuar veten nga skemat mbështetëse për Bujqësinë. Vendi ynë gëzon një numër të lartë fermerësh dhe prodhimi i tyre ka qenë gjithmonë në rritje. Mungesa e një strategjie më të gjerë zhvillimi për këtë sektorë, duke se do të vijojë t’i mbajë fermerët larg formalizimit. (A2 Televizion)