Integrimi në BE, kapitujt mbi sigurinë dhe drejtësinë përcaktues për ritmin e negociatave

Nga A2 CNN
28 Shtator 2022, 16:45 | Politikë
Integrimi në BE, kapitujt mbi sigurinë dhe drejtësinë

Përpara drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe policisë shefja e Delegacionit të BE-së Christiane Hohmann theksoi se përparimi në funksion të shtetit të së drejtës do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

“Nisja e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në e bën ligjzbatimin dhe zbatimin e shtetit të së drejtës elemente themelore në marrëdhëniet tona strategjike. Vlerësimi analitik i kapitullit 24 për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, përparimi në funksion të shtetit të së drejtës do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Duam ta çojmë përpara reformën e sektorit të sigurisë për një shtet më të fortë të së drejtës. Akademia e sigurisë ka rol kyç në përzgjedhjen e oficereve me integritet në raport me sfidat që përballemi”, tha Hohmann.

Çështjet e sundimit të ligjit përmblidhen në bashkësinë e parë me kapitujt themelorë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Ministria e Brendshme ka rolin e saj në këtë drejtim. Takimet shpjeguese janë faza e parë e procesit të shqyrtimit që përfshin gjithë spektrin e politikave e legjislacionit të BE-së, i konceptuar në 6 grupime për të 35 kapitujt e trupës së ligjeve të BE-së, që u mundëson vendeve kandidate të familjarizohen me ligjet dhe standardet e BE-së dhe detyrimet që ato mbartin, si hapi i parë në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Në fazën e dytë të takimeve dypalëshe, secili vend kandidat do ftohet të paraqesë, sipas kapitullit të caktuar, ecurinë e përgatitjeve për miratimin dhe zbatimin e trupës së ligjeve të BE-së. Jo vetëm përshtatje legjislacioni, por edhe matje konkrete e zbatimit të tij në kuadër të kapitujve 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos