Publikohen kamerat e sigurisë, i gjithë rrugëtimi i autores së sulmit në Stamboll

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2022, 09:03 | Bota

Mediat turke kanë publikuar të gjitha lëvizjet që ka bërë Ahlam Albashir me origjinë siriane, e cila ka pranuar se ka kryer sulmin e së dielës me bombë në Stamboll.

Kamerat e sigurisë kanë kapur Albashir që mban një çantë shpine, ndërsa më pas shihet e ulur në një stol në rrugën Avenue Istiklal. Ajo aty lë çantën, e cila mbante një bombë. Brenda pak minutash, bomba shpërthen dhe më pas gjithçka përfshihet nga kaosi, me 6 të vrarë e dhjetëra të plagosur.

Albashir u arrestua nga policia turke të hënën, një ditë pas sulmit me bombë. Sipas policisë turke, ajo ka pranuar se është stërvitur nga militantët kurdë.

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se bomba ishte nisur nga Kobani e kishte kaluar në Afrin, një tjetër qytet në veri të Sirisë. Ankaraja thotë se militantët e grupit YPG, të cilët kanë marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë luftës civile në Siri, janë krahu i armatosur i PKK, partisë kurde në Turqi, të shpallur si organizatë terroriste nga autoritetet turke, por edhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

Stambolli ka qenë shpesh shënjestër e militantëve kurdë, islamikë apo të ekstremit të majtë, më famëkeqi ai i dhjetorit të vitit 2016, kur 38 vetë vdiqën dhe 155 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një stadium futbolli. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/14/momenti-i-arrestimit-te-atentatores-se-stambollit-turqia-ve-ne-diskutim-aleancen-me-shba-urdhri-erdhi-nga-ata-qe-mbeshtet-uashingtoni/
https://a2news.com/2022/11/13/pamjet-e-tmerrshme-nga-shperthimi-ne-stamboll/

A2 CNN Livestream

Latest Videos