
“Hetimet për incidentin në Poloni vazhdojnë, por nuk ka tregues që të sugjerojnë se ai ishte rezultat i një sulmi të qëllimshëm”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.
Zbutet frika për një zgjerim të luftës në Ukrainë, dhe përfshirje të mundshme të NATO-s, pasi një raketë goditi Poloninë anëtare. Ukraina akuzoi Rusinë për atë që e quajti sulm terrorist, por aleatët u përmbajtën nga deklaratat e nxituara dhe pas një takimi të jashtëzakonshëm dolën më këtë përfundim.
“Analizat tona paraprake sugjerojnë se incidenti me gjasë është shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase për të mbrojtur territorin e saj kundër sulmeve ruse”, tha Stoltenberg.
Pasi foli fillimisht për aktivizim të nenit 4 të NATO-s, që parashikon nisjen e konsultimeve me aleatët në bazë të shqetësimeve për kërcënim të sigurisë, Polonia konfirmoi se nuk ka pasur një sulm të qëllimshëm ndaj këtij vendi dhe se shpërthimi që vrau dy persona në fshatin kufitar të Pzevodov mund të ishte aksident fatkeq i shkaktuar nga një raketë ukrainase.
“Asgjë, absolutisht asgjë nuk tregon se ishte sulm i qëllimshëm. Nuk ishte një akt i qëllimshëm, në fakt nuk ishte një sulm ndaj Polonisë”, tha presidenti polak, Duda.
Megjithatë, NATO tha se nuk e fajëson Ukrainën për ngjarjen, pasi siç tha ka të drejtën të mbrojë veten. Përgjegjësia për ngjarjen në Poloni, sipas aleancës, bie te Moska e cila nisi një luftë të pajustifikuar ndaj Ukrainës.
Rusia lëshoi një breshëri prej gati 90 raketash, ditën e martë, kundër infrastrukturës kritike në Ukrainë, dhe disa prej tyre ranë edhe në Lvivin kufitar me Poloninë.
Por presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ka pak gjasë që raketa që ra mbi një fermë në territorin e shtetit anëtarë të NATO-s, të ishte lëshuar nga Rusia.
Kremlini përgëzoi qëndrimin amerikan dhe akuzoi shtetet e tjera perëndimore për reagim histerik.
Zëdhënësi Dmitri Peskov kërkoi që Varshava të sqaronte menjëherë se mbetjet e raketës i përkisnin sistemit ukrainas, S-300. (A2 Televizion)