Republikanët marrin Dhomën e Përfaqësuesve, mund të mbyllen hetimet për Trump

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2022, 07:54 | Bota
Republikanët marrin Dhomën e Përfaqësuesve, mund të

Pas më shumë se 1 javë nga mbajtja e zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, tashmë është zyrtare. CNN projekton se republikanët fitojnë kontrollin e dhomës së përfaqësuesve, duke ndryshuar balancën e pushtetit në Uashington.

Kampi i kuq ka siguruar 218 vendet e nevojshme për të pasur shumicën në dhomën e ulët. Fitorja e republikanëve në distriktin e 27-të të Kongresit në Kaliforni i dha epërsinë partisë. Ndërsa diferenca është e ngushtë, ajo mjafton për të paralizuar agjendën e presidentit Joe Biden përgjatë dy viteve në vazhdim.

Kevin McCarthy, kreu i republikanëve në dhomën e përfaqësuesve, pritet të pasojë demokraten Nancy Pelosi si kryetar i dhomës së ulët të kongresit. “Ju thashë që do të rikthehemi. Jam krenar të njoftoj se epoka e sundimit një partiak në Uashington ka marrë fund”, tha ai.

McCarthy mund të përballet me një rrugë të vështirë, pasi do t'i duhet ta mbajë grupin e tij të bashkuar për votime kritike përfshirë buxhetin e qeverisë dhe ushtrisë në një kohë kur ish-presidenti Donald Trump ka shpallur kandidaturën për të marrë edhe një herë Shtëpinë e Bardhë.

Një ndër vendimet e para të Dhomës Republikane të Përfaqësuesve pritet të jetë shpërndarja e komisionit hetimor për ngjarjet e 6 janarit të vitit 2021, kur u sulmua Kapitoli nga mbështetësit e ish-presidentit Trump.

Ndërkohë, që Kevin McCarthy i duhen votat e republikanëve skeptikë dhe janë pikërisht këta të fundit që i kërkojnë atij të deklarojë qartazi nëse do të nisë një hetim për djalin e presidentit, Hunter Biden, tërheqjen nga Afganistani dhe menaxhimin e pandemisë.

Pas këtyre zhvillimeve të fundit, presidenti Biden deklaroi se në këto zgjedhje, qytetarët dënuan dhunën politike, intimidimin. Sipas tij, qytetarët kërkojnë zgjidhjen e problemeve të tyre dhe ruajtjen e demokracisë. “Amerikanët duan që të përqendrohemi në tema që e bëjnë jetën e tyre më të mirë. Do të punoj me këdo, republikanë apo demokratë për t’iu ofruar më të mirën qytetarëve”, u shpreh Biden.

Pelosi, gruaja e parë qe mbajti postin e drejtueses së Dhomës se përfaqësuesve, sinjalizoi se do t’ia vështirësonte punën, asaj që e quajti shumicë të pamjaftueshme republikane. 82-vjeçarja nuk e ka bërë ende të ditur nëse do të vijojë të qëndrojë lidere e pakicës, me spekulimeve në Uashington për të ardhmen e saj. Demokratët do të vazhdojnë të kontrollojnë Senatin, pasi republikanët nuk mund ta materializonin shpresën për një dallgë të kuqe. Disa prej anëtarëve të partisë kanë fajësuar Trump për rezultatet zhgënjyese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos