Mediat britanike kanë publikuar pamjet e sherrit të mamasë së yllit të Manchester City-t, Phil Foden, të shtunën në mbrëmje, teksa po ndiqte me të birin ndeshjen e boksit Brook vs Khan. Në video, duket fillimisht futbollisti 21-vjeçar që futet në një dhomë private në “AO Arena”, ku u zhvillua sfida, në Mançester. Pas tij, vijnë një grup djemsh që po e ofendonin.
Fillimisht, ndaj tyre reagon e dashura e lojtarit, Rebecca Cooke, ndërsa më pas del e ëma, Clarie Foden. Pasi palët shkëmbejnë të shara, mamaja e Foden shtyn njërin prej djemve, i cili duket se për kundërpërgjigje, e godet me grusht. Teksa sherri përshkallëzon edhe më shumë persona përfshihen në të, dhe Foden i del në mbrojtje mamasë së tij.
Një zëdhënës i klubit tha se kishte marrë dijeni për incidentin dhe se mbështeste lojtarin ndaj abuzimit dhe ofendimeve me të cilat ishte përballur. (A2 Televizion)