
Pas një periudhe stanjacioni, Vlora aktualisht është ndër qytetet e para në vend që po përballet me një kërkesë të lartë për blerjen e apartamenteve të banimit.
Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Vlorë, çmimet e apartamenteve në disa zona janë dyfishuar dhe trefishuar dhe kjo falë kërkesës së lartë kryesisht nga emigrantët, shtetasit e huaj dhe ata nga Kosova, por që jetojnë dhe punojnë në vende si Zvicra apo Gjermania.
Sipas Breshanit, në rritjen e çmimit ka ndikuar edhe orientimi i ndërtuesve dhe investitorëve për të ndërtuar në fushën e hotelerisë dhe duke lënë mënjanë ndërtimin e apartamenteve të banimit.
Por edhe pse kohët e fundit në qytetin e Vlorës janë hapur disa kantiere për ndërtimin e banesave, sërish sipas Breshanit, çmimi i apartamenteve nuk pritet të ulet.
Ndërkohë, rritja e çmimit të banesave në Vlorë ka përfshirë edhe zonën industriale, si dhe zona të tjera që nuk shikohen si zona turistike apo pranë bulevardeve kryesore të qytetit. (A2 Televizion)