
Në mediat e Kosovës po qarkullon një draft i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
RTV Dukagjini ia atribuon dokumentin fondacionit gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung” që vepron në Kosovë dhe shkruan se atë e siguroi nga një përfaqësi diplomatike në Prishtinë.
Statuti përmban 18 nene në total, ndërsa që në të parin theksohet se Asociacioni është një entitet ligjor i themeluar në bazë të kushtetutës dhe sistemit ligjor të Republikës së Kosovës.
Por gjithashtu sqarohet se themelimi do të ndodhë në bazë të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Mes pikave të rëndësishme mund të konsiderohet neni 3, ku thuhet se statuti duhet të miratohet edhe nga qeveria e Kosovës dhe të marrë verifikim nga Gjykata Kushtetuese. (A2 Televizion)