Punime për unazën e madhe, nga 16 korriku bllokohet segmenti Farkë-Shkozë

Nga A2 CNN
13 Korrik 2022, 15:56 | Aktualitet

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se për shkak të punimeve për unzën e madhe, në zonën lindore të qytetit, në datën 16 korrik, ora 08:00, do të fillojnë punimet për montimin e trarëve të mbikalimit në Shkozë, si dhe punimet e asfaltimit të karrexhatës së majtë dhe të djathtë të rrugës kryesore të segmentit rrugor Farkë-Shkozë.

“Për realizimin e këtyre punimeve është e nevojshme të kryhet bllokimi i segmentit të unazës Lindore Farkë-Shkozë. Përdoruesit e këtij segmenti rrugor do të devijojnë nga rruga kryesore në nyjën e Farkës duke përdorur rrugën “Ali Shefqeti” dhe “Alajdin Frashëri” deri në rrethrrotullimin e Shkozës dhe anasjelltas. Në këto pika të devijimit do të vendoset sinjalistika e përkohshme orientuese për qarkullimin e mjeteve”, thuhet në njoftimin e ARRSH.

Mbyllja e rrugës për shkak të kryerjes së këtyre punimeve është parashikuar të zgjasë rreth 10 ditë, thotë ARRSH. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos