
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka paralajmëruar se do të zhvillojë një protestë në datën 14 korrik, për të kundërshtuar hartën e re gjyqësore, të miratuar së fundmi. Protesta do të zhvillohet në orën 11:00 para godinës së Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Harta e re gjyqësore ka shkaktuar reagime të shumta nga grupet e interesit, më kryesori ai i avokatëve, të cilët kanë bojkotuar në masë seancat gjyqësore. Të mërkurën, Komiteti i Disiplinor i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë do të mblidhet për të shqyrtuar ankimet ndaj avokatëve që kanë thyer bojkotin.
Bojkoti pa afat i avokatëve në mbarë vendin, i nisur më 30 qershor, është respektuar në pjesën më të madhe të gjykimeve në themel, fakt që nuk ka ndodhur në masat e sigurisë, ku të arrestuarit janë përfaqësuar nga avokatë kryesisht. Në mbledhjen e 7 korrikut, Këshilli i Përgjithshëm vendosi vazhdimin e bojkotit pa afat, zgjatjen me 10 ditë të bojkotit për masat e sigurisë dhe një protestë nga avokatët para KLGJ.
Një nga qëllimet e hartës së re gjyqësore të miratuar nga KLGJ dhe që po kundërshtohet me forcë nga avokatët, sipas hartuesve të saj, është ulja e numrit të delegimeve të gjyqtarëve. Delegimi dhe caktimi i gjyqtarëve në trupa gjykuese në procese në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë detyrën është kompetencë e KLGJ, si qeveri e gjyqësorit. Në 4 vitet e fundit, në kushtet e boshllëkut të krijuar nga shkarkimet e vetingut, kjo praktikë është përdorur si kamerdare shpëtimi për qindra procese gjyqësore, të cilat janë shqyrtuar me gjyqtarë borxh. (A2 Televizion)