
Bjellorusia kërkon garanci nga Rusia se do ta mbrojë atë në rast të ndonjë sulmi. Presidenti Aleksandër Lukashenko e shtroi këtë kërkesë gjatë pritjes së ministrit rus të mbrojtjes, Sergei Shoigu, në Minsk.
Lideri bjellorus tha se e ka diskutuar këtë çështje edhe me presidentin Vladimir Putin dhe se ata janë pajtuar që garanci të tilla të sigurisë ishin të nevojshme dhe se duhet të formalizohen.
Bjellorusia, shtet i cili strehon një kontigjent me ushtarë të Rusisë, i ka ofruar Moskës asistencë përgjatë luftës së nisur në Ukrainë, të cilën Putini e quan “operacion special ushtarak”.
Ka pasur shpesh spekulime se Minsku mund t’i bashkohej luftës, ndërsa vazhdimisht ka lejuar trupat ruse që të lëshojnë sulme ndaj Ukrainës nga territori bjellorus. Por Lukashenko ka mohuar me forcë çdo mundësi për të hyrë në konflikt. (A2 Televizion)