
Presidenti rus, Vladimir Putin, po keqinformohet nga këshilltarët e tij, të cilët kanë frikë t'i thonë se sa keq po shkon lufta në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë, që citon informacione të inteligjencës, deklaroi se shefi i Kremlinit ndihet i mashtruar nga ushtria, çka ka rezultuar në tension të vazhdueshëm mes Putinit dhe lidershipit ushtarak. Sipas Shteteve të Bashkuara, Putin nuk po informohet as mbi ndikimin e plotë të sanksioneve tek ekonomia ruse.
“Kemi informacione se Putini ndihet i mashtruar nga ushtria Ruse, çka ka rezultuar në tensione të vazhdueshme mes presidentit dhe lidershipit ushtarak. Ne besojmë se Putin po informohet gabim nga këshilltarët e tij se sa keq po performon ushtria ruse dhe sa e kanë dëmtuar ekonominë e vendit sanksionet. Ata kanë frikë t’i thonë të vërtetën. Është gjithmonë e më e qartë se lufta e Putinit ishte një gafë strategjikë që do të dobësojë Rusinë në periudhë afatgjatë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Në të njëjtin përfundim, kanë arritur edhe shërbimet sekrete britanike, që thonë se trupat ruse në Ukrainë janë të demoralizuar, pa pajisjet e nevojshme dhe po refuzojnë t’i binden urdhrave.
“Është e qartë se Putin po e vlerëson keq situatën. Po shohim se ushtarët rusë janë pa armë dhe me moral të ulët, po sabotojnë e madje edhe po qëllojnë avionët e vet. Ne besojmë se këshilltarët kanë frikë t’i thonë të vërtetën”, u shpreh kreu i inteligjencës britanike, Jeremy Fleming.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, i cilësoi si të pakëndshme vlerësime të tilla, pasi një Putin i painformuar mund të rezultojë në përpjekje më pak serioze për t’i dhënë fund konfliktit, përmes negociatave të paqes.
“Nga ana tjetër thotë ai, ne nuk e dimë se si do të reagonte, nëse do të merrte lajmin e keq”. (A2 Televizion)