Putin takon Guterres: Nuk ka paqe pa zgjidhur çështjen e Krimesë dhe Donbasit

Nga A2 CNN
27 Prill 2022, 10:41 | Aktualitet
Putin takon Guterres: Nuk ka paqe pa zgjidhur çështjen e

Presidenti rus Vladimir Putin, tha se shpreson për një rezultat pozitiv në bisedimet për paqen me Ukrainën, gjatë takimit të zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të OKB Antonio Guterres. Por numri një i Kremlinit e bëri të qartë se nuk do të ketë garanci sigurie për Ukrainën pa zgjidhur çështjet territoriale lidhur me gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe rajonin lindor të Donbasit. VladimirPutin

“Nuk mund të firmosim garancitë e sigurisë pa vendosur mbi çështjet territoriale lidhur me Krimenë, Sevastopolin dhe Donbasin. Por megjithatë, negociatat do të vazhdojnë online dhe shpresoj të prodhojnë rezultate pozitive”, tha Putin.

Presidenti rus tha se bisedimet e fundit në Stamboll kishin shënuar përparim të rëndësishëm, por arritjet ishin përmbysur pas raportimeve për masakra në qytezën e Bucha-s.

Putin i cilësoi pretendimet një provokim dhe tha se ushtria ruse nuk ishte e përfshirë. Shefi i Kremlinit pranoi në parim, përfshirjen e OKB dhe Kryqit të Kuq në evakuimin e civilëve nga impianti metalurgjik i Azovstalit.  Ai i tha Guterres se trupat ukrainase po përdornin civilët si mburoja njerëzore dhe se forcat e Moskës nuk po i pengonin të largoheshin. 

Sakaq, sekretari i përgjithshëm i OKB e cilësoi agresionin rus në Ukrainë, si shkelje të plotë të kartës së OKB. Ai u shpreh tejet i shqetësuar për situatën humanitare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos