
“Shumë vonë, hipokritë dhe pa asnjë vlerë për të falënderuar SPAK”. Është ky reagimi që vjen nga drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, një prej kallëzuesve në SPAK të dosjes së inceneratorëve dhe akuzuesve kryesorë të Lefter Kokës.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se denoncimet dhe faktet kanë qenë aty prej kohësh, por nuk është vepruar qëllimisht para zgjedhjeve. “Banda e aferës së inceneratorëve nuk duhej të prekej para zgjedhjeve, sepse ajo do të blinte dhjetëra mijëra vota të LSI-së për llogari të Rilindjes në Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, etj. Në krye të bandës është vetë Edi Rama dhe kryetarët e bashkive e ministrat ende në detyrë”, tha Vasili.
Ai përfshin në akuzë edhe Lulzim Bashën që, sipas tij, u detyrua të mos pranonte asnjë anëtar të LSI-së në komisionin hetimor parlamentar të inceneratorëve. “Shqiptarët nuk duan drejtësi me regji, por drejtësi të vërtetë dhe në kohën e duhur!”, tha Vasili. (A2 Televizion)