
Akademiku Artan Fuga ishte i ftuar mëngjesin e së martës në "Dita jonë" nga ku komentoi zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. Për Fugën, shoqëria shqiptare nuk ka dalë ende nga kontrolli politik. Dikur ishte një parti, ndërsa sot janë dy apo tre, shprehet Fuga.
Për akademikun, situata në PD do të prodhojë ngjarje të tjera.
“Ne kemi një shoqëri piramidale, të ndërtuar në mënyrë piramidale edhe në jetën politike. Kryetarët dominojnë partitë. Politika kontrollon edhe ekonominë. E shikoj një sistem që nuk ka dalë nga kontrolli politik. Diku ka qenë nën kontrollin e një partia, ndërsa sot është nën kontrollin e dy apo tre partive dhe i kryetarëve të tyre. Nga kjo pikëpamje, ky sistem këto dy muaj ka pësuar një krisje. Ai është në këmbë, por për arsye të rastësishme, për goditje të marrë nga jashtë, ky sistem ka marrë krisje.
Ajo që unë pash atë ditë në stadium, ku ishin mbledhur elitat lokale të PD-së, ishte një prurje e tillë e cila trondit të tërë modelin e partive politike në Shqipëri. Kjo do të prodhojë ngjarje të tjera”, u shpreh Fuga. (A2 Televizion)