Arrestimi i Lefter Kokës, nga ngritja në politikë deri te prangat e SPAK

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2021, 12:46 | Politikë
Arrestimi i Lefter Kokës, nga ngritja në politikë deri te prangat

Lefter Koka është një emër i njohur në oborret politike. Në vitin 2003-2007, ai ka mbajtur postin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit çka shënoi edhe fillimin e aktivitetit politik. Pas vitit 2007, Koka u largua nga Partia Socialiste për t’u bashkuar me Ilir Metën në Lëvizjen Socialiste për Integrim, nga ku arriti të merrte mandatin e parë parlamentar në vitin 2009. I njohur si një nga katër mandatet e florinjta të LSI-së, Koka ishte faktor në formimin e qeverisë Berisha-Meta në vitet 2009-2013.

Në ato vite, zëri i tij në parlament nuk ishte ndër më të dëgjuarit, por ndërsa afrohej përfundimi i legjislaturës, Koka së bashku me të vëllain e tij, u bënë protagonistë në ribashkimin e së majtës, duke ulur Ilir Metën dhe Edi Ramën në darkën e famshme të ngjalave në Gjirin e Lalzit, që i parapriu marrëveshjes politike, e cila solli dhe largimin e Berishës nga pushteti.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-s, Koka bëri një hap tjetër në karrierën e tij politike, duke u ulur në tryezën e kabinetit qeveritar. Marrja e postit të Ministrit të Mjedisit mund të quhet edhe kulmi i tij politik, që shënoi edhe fundin, pasi pikërisht gjatë këtyre viteve, SPAK pretendon se janë kryer shkeljet për të cilat e vuri në pranga.

“Mbetjet nuk janë produkt fitimprurës në vetvete. Por kërkon të stimulohet kjo industri. Nëse ne kërkojmë ta penalizojmë, ne do të dëmtojmë rëndë ekonominë shqiptare”, do të thoshte Koka në atë kohë.

Pushteti si ministër i Mjedisit, u përkthye në rritjen e forcës elektorale të Lefter Kokës, që në vitin 2017 fitoi sërish mandatin parlamentar të cilin e çoi deri në fund, ndryshe nga sa bëri LSI, e cila në vitin 2019 i dogji ato. Kjo shënoi edhe divorcin e tij me partinë e krijuar nga Ilir Meta ku dhe u rrit politikisht, si dhe kthimin në PS-në e Edi Ramës.

https://a2news.com/2021/12/14/arrestohet-ish-ministri-i-mjedisit-lefter-koka/

Në zgjedhjet e vitit 2021, Edi Rama e kandidoi atë sërish në Durrës duke e renditur të shtatin, një vend para vetes së tij. Besimi i Kryeministrit u vërtetua në fletë votimi, plot 9609 vota preferenciale të cilat nuk arriti t’i gëzojë.

“Menduan që paraja mund të bëj gjithçka, menduan që me paratë do të dalin triumfator. Gabuam vetëm për një gjë, paraja gjithçka në jetë mund të sjellë, por ka vetëm një fatkeqësi, nuk ka jetë”.

Në mënyrë të beftë, më 1 shtator dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Publikisht tha se kishte ardhur fundi i ciklit politik, por nën zë flitej se SPAK kishte nisur hetimet pas padive të LSI-së për lejet e dhëna nga ai për ndërtimin e tre inceneratorëve.

Lefter Koka prej vitesh akuzohet publikisht për korrupsion nga kundërshtarët politikë, por SPAK me lëvizjen e fundit duket se i dha kuptim shprehjes “ku ka zë nuk është pa gjë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos