Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit pranë godinës së televizionit Top Channel. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të medias në rrethana ende të paqarta rreth orës 01:00. Si pasojë, ka humbur jetën roja i sigurisë i godinës, Pal Kola 60 vjeç.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Gjithashtu, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa mjeti i tyre është gjetur i djegur.






Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve. (A2 Televizion)