
Të gjithë e dimë se sprovat kërkojnë durim dhe durimi është cilësi e besimit tonë! E nisi mesazhin e tij kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ndërsa zgjedh të theksojë se më të sprovuarit ndër njerëzit kanë qenë profetët e Zotit. Thirrja e gjithë besimeve fetare që janë mësuar t’i shohin besimtarët e tyre bashkë në lutje, në falje namazi, e mesha, është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.
“Ky virus nuk përhapet vetvetiu, por jemi ne që e përhapim me kontaktet që kemi me njëri-tjetrin në rrugë apo në ambiente të ndryshme. Fatkeqësisht mënyra e vetme për ta parandaluar, sipas ekspertëve të mjekësisë është qëndrimi në shtëpi, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve, me shpresë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt.
Natyrisht kjo situatë e jashtëzakonshme ka nevojë edhe për një solidarizim të jashtëzakonshëm me të gjithë njerëzit në nevojë, duke filluar nga njerëzit tanë më të afërm, komshinjtë dhe më gjerë.
Ta shprehim dashurinë për prindërit tanë dhe të afërmit e moshuar, duke u shërbyer atyre dhe duke u plotësuar të gjitha nevojat pa pasur nevojë që të dalin nga banesat e tyre.
Duke falënderuar të gjithë mjekët dhe infermierët që janë në frontin e parë të kësaj beteje për punën dhe sakrificën e tyre, lusim Zotin për shërim sa më të shpejtë për gjithë të sëmurët!
E lusim Zotin të na bëjë solidarë dhe të dashur me njëri-tjetrin në këto ditë!
E lusim Zotin që kjo situatë të kalojë sa më shpejt!” (A2 Televizion)
Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu