
Kukësi, këtë filim jave, për të tretën ditë me radhë nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me COVID-19. Testet kanë rezultuar negative. Ndërkohë familjet e personave të kontaminuar si dhe të afërm të tyre janë në izolim të plotë dhe në mbikëqyerje të vazhdueshme nga njësia vendore e Shëndetësisë në Kukës.
Krahas monitorimit për bartësit e koronavirusit, që kryhet çdo ditë nga personeli shëndetësor, tashmë po trajtohen me ndihma në paketa ushqimore nga Bashkia Kukës dhe me medikamente nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Kukës.
Ndryshe qyteti i Kukësit, këtë të hënë, i ngjante me përditshmërinë e lëvizjeve të zakonshme të qytetarëve, të cilët populluan rrugët duke bërë që të ngjajë si një ditë e zakonshme. Në qytet të gjitha moshat lëvizin lirisht ndërsa kishte edhe lëvizje të shumta automjetesh.
Me sa duket, qytetarët kuksianë mund të jenë keqkuptuar lidhur me tolerimin që qeveria bëri për disa biznese, pasi sërish për të dalë nga shtëpia duhet leje.
Ndryshe një pjesë e mirë e bizneseve që do të lejohen të hapen dhe të vijojnë normalisht aktivitetin ishin të hapura dhe të gjitha nën masa të rrepta sigurie si mbajta e maskave e dorezave nga punonjësit dhe distancimi fizik për klientët. Siç dihet deri më tani në qytetin e Kukësit janë konfirmuar 11 raste me koronavirus, prej tyre 5 janë personel mjekësor të spitalit të qytetit. (A2 Televizion)