Reforma zgjedhore duhet të zhvillohet përmes një dialogu më të gjerë, ku krahas Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të përfshihet edhe protestën. Këtë sugjeroi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN gazetari Mentor Nazarko, sipas të cilit zhvillimet e fundit politike kanë krijuar një realitet të ri, ku skena politike po merr formë trepolare: PS, PD dhe protesta.
Duke theksuar se opozita është e kërcënuar nga ky pol i tretë, Nazarko ngre pikëpyetje nëse po negocion me përfaqësuesit e protestës, botën akademike dhe ekspertët për të arritur një marrëveshje mbi sistemin zgjedhor. Sipas tij një marrëveshje për sistemin zgjedhor parlamentar duhet të shërbejë edhe si bazë për diskutimet mbi zgjedhjet vendore.
“Pikëpyetja është që në këto rrethana të reja, opozita e cila kërcënohet nga ky pol i tretë, a është duke negociuar a duke diskutuar me këtë pol të tretë me zërat më me ndikim, me botën akademike a me ekspertë të tjerë, apo dhe me partitë e vogla që të shkohet në një sistem zgjedhor që është i mirë dhe për ato. Kjo është një pikëpyetje se nuk po e shoh. Ndërkohë në qoftë se ka negociata të tilla, këto janë gjithashtu parakusht për garën për zgjedhjet lokale. Janë tregues i besimit dhe për zgjedhjet lokale, sepse ato janë të parat, por në qoftë se opozita bashkëpunon me protestën po themi në pikëpamje institucionale për sistemin zgjedhor në nivel kombëtar, pra sistemin zgjedhor parlamentar, atëherë imagjinojmë që do të ketë një marrëveshje në stil më të gjerë edhe për bashkësinë edhe për zgjedhjet lokale”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Nazarko vlerëson se sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura është një model i drejtë, i cili mund t'u japë mundësi edhe subjekteve të reja politike të afirmohen dhe të përfaqësohen në Parlament.
“Proporcionali kombëtar me lista të hapura është një sistem shumë i mirë, është i drejtë. Unë apriori mund të them që ndoshta dhe për protestën ky është sistemi më i mirë. Duke imagjinuar që protesta nuk do të ketë vetëm një subjekt unik, por do të ketë dy apo më shumë zëra, proporcionali kombëtar i adreson nevojat dhe subjekteve të reja për t'u afirmuar me shpejtësi edhe drejtësisht. Nëse do të kemi proporcional kombëtar në nivel parlamentar, atëherë pikëpyetja është po për zgjedhjet vendore a do të ketë ndryshim? Cila është qasja e opozitës?”, theksoi Nazarko në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Lidhur me 5 prioritetet që ambasadorja e BE-së Sofia Moreira de Sousa, diskutoi sot me kreun e KQZ-së, Nazarko shprehet se këto çështje duhet të adresohen brenda 20 ditëve të ardhshme përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
“Çështja e tretë që do të diskutoja në takimin që ka patur shefja e Bashkimit Europian këtu, ajo ka individualizuar bashkë me këtë shefin e KQZ-së pesë prioritete pesë prioritete, që financimi i fushatave dhe i partive, përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë, ajo administrata zgjedhore profesionale, e dhënia e të drejtës së votës për ata që nuk kanë mundësi, supozoj që është për diasporën referim apo dhe financim në fushatë. A mund të adresohen këto 20 ditë? Këto 20 ditët pra janë koha në të cilin duhet të adresohen në Kodin Zgjedhor këto pesë prioritete dhe duhet të ketë dialog me protestën”.
(A2 Televizion)