Qeveria indiane pranon kërkesat e fermerëve, merr fund protesta 14-mujore

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2021, 12:56 | Bota

Fermerët indianë i kanë dhënë fund protestave masive të 14 muajve, një javë pasi qeveria ra dakord të heqë dorë nga reformat e diskutueshme bujqësore.

Mijëra fermerë kishin ngritur çadra kampingu në rrethinat e kryeqytetit Delhi, ndërsa pati dhjetëra të vdekur nga i nxehti, i ftohti dhe Covid.

Nga e shtuna, ata do të fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.

Vendimi erdhi pasi ministrat ranë dakord të diskutonin kërkesat e tyre, duke përfshirë çmimet e garantuara për prodhimin.

"Ne do të mbajmë një takim rishikues më 15 janar. Nëse qeveria nuk i përmbush premtimet e saj, ne mund të rifillojmë protestën", i tha medias lokale udhëheqësi i fermerëve.

Sindikatat e fermerëve po protestonin kundër prezantimit nga qeveria të tre ligjeve miqësore ndaj tregut, të cilat ata thanë se do t'i linin ato të cenueshme ndaj kompanive të mëdha dhe do t'u shkatërronin mjetet e jetesës.

Pas muajsh këmbënguljeje se nga reformat do të përfitonin fermerët, kryeministri Narendra Modi njoftoi më 19 nëntor se qeveria e tij do të shfuqizonte ligjet.

Një projektligj për anulimin e reformave u miratua zyrtarisht në parlament më 30 nëntor.

Masa u përshëndet si një fitore për fermerët dhe gjithashtu si një shembull i fuqishëm se si protestat masive mund të sfidonin ende me sukses qeverinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos