
Në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit, Partia Socialiste ka mbledhur Kryesinë e saj për të diskutuar në lidhje me strategjinë që do të ndiqet gjatë këtyre 30 ditëve ku kandidatët do të shpalosin programet e tyre përpara qytetarëve.
Sipas të dhënave, socialistët do të heqin dorë nga takimet e mëdha elektorale dhe do të fokusohen në takimet e vogla me qytetarët, gjë e cila u konfirmua dhe nga Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, pas përfundimit të mbledhjes.
“Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete të mëdha masive. Nuk duam të bërtasim. Kemi menduar një strategji tjetër. Javën tjetër do të fillojmë aktivitete. Do të synojmë aktivitete më të qeta, takime më të vogla. Kjo ka aspekt simbolik. Përveç faktit që PS-ja nuk do të shpenzojë në këtë fushatë. Nga ana tjetër, duam të japim edhe mesazhe. Ne e shikojmë Shqipërinë si një vend që po bën progres. Ka nevojë të bëjë më tepër progres. Pala tjetër e shikon zi se është i vetmi mesazh që kanë në mendje”, deklaroi ai. (A2 Televizion)