
Gratë do të jenë në krye të mandatit të tretë të Edi Ramës, duke nisur nga drejtimi i Kuvendit. Postin e dytë ne hierarkinë e Shtetit, kryesocialisti ia besoi Lindita Nikollës, duke i rikthyer besimin njeriut që prej shumë vitesh mban pranë. E ndërgjegjshme për detyrën delikate, ish-ministrja e Arsimit, premtoi qasje pozitive ndaj opozitës.
Gratë do të përbëjnë mazhorancën dërrmuese të Qeverisë, duke zënë 12 nga 17 ulëset në kabinetin e ri, ku vetëm 5 prej tyre janë meshkuj. Krah Edi Ramës do të qëndrojë Arben Ahmetaj, duke rikonfirmuar dhe njëherë besimin që ka për ish-ministrin e Rindërtimit, i cili ka mbajtur gjithnjë poste të rëndësishme në pushtetin e socialistëve.
Ahmetaj zëvendëson në këtë post Erjon Braçen, i cili u duk i harruar në Asamblenë socialiste pa asnjë post të rezervuar për të. Pasi u la jashtë listës fituese në zgjedhjet e 25 prillit, Pandeli Majko mbeti pa asnjë rol dhe në qeverinë e re. Ish-ministri i Diasporës e reflektoi pakënaqësinë, duke u larguar i pari nga mbledhja e Asamblesë.
Mes emrave të Qeverisë Rama tre bie në sy rikthimi i Mirela Kumbaros, dikur ministre e Kulturës. Prurjet e reja të Kryeministrit janë drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimit që merr vendin e Anila Denajt te Ekonomia dhe Financat.
Promovimi i Edona Bilalit përveçse në parti vijon edhe në Qeveri si ministre shteti për Sipërmarrjen. Ndërsa drejtoresha e AZHBR-së Frida Krifca avancon si Ministre e Bujqësisë. Ministre, ndonëse pa portofol, edhe Bora Muzhaqi që ul moshën mesatare të Qeverisë duke u marrë me rininë dhe fëmijët.
Më të vlerësuarit e Ramës, Ogerta Manastirliu, Belinda Balluku, Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi, ashtu siç pritej, u konfirmuan në detyrë. Nuk lëvizin nga Blendi Çuçi, Evis Kushin, Elva Margariti dhe ElisaSpiropali. (A2 Televizion)